Qytetarëve ju vijnë mesazhe të rreme për gjoba në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut kanë denoncuar një mesazh të dyshimtë që pretendohet se vjen nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke ngritur alarmin për një tjetër rast mashtrimi online. Sipas denoncimit të një qytetari në Portalb.mk, mesazhi i është dërguar përmes telefonit dhe paraqitet si njoftim zyrtar për shkelje në komunikacion. Në këtë mesazh thuhet se automjeti i marrësit ka kryer një shkelje rrugore dhe kërkohet pagesa e një gjobe, me pretendimin për ulje prej 50% nëse pagesa bëhet brenda 8 ditëve. Gjithashtu, përfshihet një link i dyshimtë që paraqitet si portal zyrtar për pagesa dhe ankesa, si dhe një kërkesë për t’u përgjigjur me “1” për të parë prova të supozuara, raporton Portalb.mk.

“Inspektorati për Siguri Rrugore i Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut (MBR)

Njoftim zyrtar në lidhje me përpunimin e shkeljeve të automjeteve sipas Ligjit për Sigurinë në Rrugë në Maqedoninë e Veriut, automjeti juaj regjistrohet automatikisht si automjet që ka kryer shkelje brenda zonës së monitorimit. Kushtet e gjobës: Do të gjobiteni në shumën përkatëse në përputhje me ligjin.

Zvogëlim ligjor: Sipas ligjit të Maqedonisë së Veriut, nëse pagesa bëhet brenda 8 ditëve nga marrja e këtij njoftimi, do të duhet të paguhet vetëm 50% e gjobës totale.

Zbatimi: Mospagesa brenda afatit të përcaktuar do të shkaktojë procedura administrative të mbledhjes, dhe regjistrimi përkatës do të lidhet drejtpërdrejt me inspektimin vjetor të automjetit tuaj (Regjistrimin).

Portali zyrtar për ankesa dhe pagesa: https://mvr.govmk.cam/mk

Përgjigjuni “1” për të parë drejtpërdrejt fotot nga vendi i ngjarjes dhe dokumentet zyrtare për përpunim elektronik”, thuhet në mesazhin e rremë.

Qytetarët kanë dyshime për vërtetësinë e tij. Nga verifikimet fillestare, dyshohet se bëhet fjalë për një tentativë fishingu, ku mashtruesit përpiqen të mashtrojnë qytetarët duke u paraqitur si institucione shtetërore.

Ndryshe, në RMV qytetarët vazhdimisht pranojnë mesazhe të rreme me mashtrime për vjedhjen e të dhënave personale.

Autoritetet më parë kanë bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë në linqe të panjohura dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve të tilla.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit