Qytetarët protestojnë në Tiranë pas incidentit në Zvërnec

Qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën të dielën para Ministrisë së Brendshme në Tiranë, në shenjë proteste ndaj ngjarjeve të ndodhura në Zvërnec, ku protestues që kundërshtojnë ndërtimet në zonat e mbrojtura u përfshinë në incidente me punonjës të sigurisë private.

Protesta u organizua pas publikimit të pamjeve nga Zvërneci, ku një protestues u godit dhe u tërhoq zvarrë nga persona të maskuar të sigurisë private. Sipas raportimeve, gjatë përplasjes është përdorur edhe spray me piper.

Banorët e zonës kanë protestuar prej ditësh kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur, duke deklaruar se po mbrojnë pronat e tyre dhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e situatës.

Protestuesit e nisën marshimin nga Drejtoria e Policisë në rrugën “Myslym Shyri”, për t’u bashkuar më pas me qytetarët e mbledhur para Ministrisë së Brendshme. Gjatë tubimit u kërkua dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.

Më pas, turma vijoi marshimin drejt Kryeministrisë. Organizatorët kishin bërë thirrje për pjesëmarrje përmes rrjeteve sociale.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë lidhur me tensionet në Zvërnec, duke njoftuar se do të dalë publikisht për të sqaruar projektin që po zhvillohet në zonë.

“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit”, shkroi Rama në platformën X.

Kryeministri përgëzoi gjithashtu reagimin e Policisë së Shtetit pas publikimit të pamjeve të incidentit.

“E përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës”, deklaroi ai.

Rama mbështeti edhe masat e marra ndaj strukturave policore në Vlorë, duke theksuar se “qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cenon besimin e publikut, është e duhura”.

Reagimi i tij erdhi pasi Policia e Shtetit arrestoi një prej punonjësve të sigurisë private të përfshirë në incident, ndërsa dy persona të tjerë mbeten nën hetim.

Paralelisht, është nisur një hetim disiplinor për zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës dhe janë pezulluar drejtues vendorë të saj.

Edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mbështeti masat e ndërmarra, duke deklaruar se “nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, por edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend”.

Ndërkohë, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njoftoi ndërprerjen me efekt të menjëhershëm të kontratës me kompaninë e sigurisë private të përfshirë në incident. Investitori kërkoi ndjesë publike për ngjarjen dhe bëri thirrje për një hetim të plotë dhe të paanshëm. (AP)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit