Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qyra ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë kujtuar vizitën e Rifled në Strugë gjatë fushatës zgjedhore dhe takimin që kishin zhvilluar atëherë.
Sipas Qyrës, biseda është përqendruar në lidhjet mes dy komuniteteve dhe mundësinë e avancimit të tyre përmes bashkëpunimit konkret ndërmjet Strugës dhe Lincoln Parkut.
“Besoj se është koha që kontakti i krijuar atëherë të shndërrohet në bashkëpunim konkret mes Strugës dhe Lincoln Parkut”, ka shkruar Qyra, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë do të ishte në interes të të dyja komunave, por veçanërisht të komunitetit strugan që jeton në Lincoln Park.
Qyra ka vlerësuar se miqësitë personale mund të shërbejnë si pikënisje për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit mes dy komuniteteve.






