Qyra: Po punojmë për pastrimin e deponive të egra. Zgjidhja afatgjatë është ndërtimi i deponisë në Novaci

Advertisement

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, thotë se zgjidhja afatgjatë për problemin e deponive të egra pritet të vijë me ndërtimin e deponisë moderne rajonale në Novaci, ku do të përfshihen 19 komuna.

Sipas tij, projekti pritet të nisë me depozitimin e mbeturinave, ndërsa më pas ato do të trajtohen për t’u shfrytëzuar si burim për prodhimin e energjisë elektrike ose gazit. Qyra paralajmëron se tenderi për deponinë mund të shpallet në muajin prill, ndërsa pret që ky projekt të ndikojë në uljen e numrit të deponive të egra në qytet dhe fshatra.
„Vitin e ardhshëm duhet të ndajmë mjete që qytetarët të jenë më aktivë në raportimin e deponive, sepse ne nuk kemi burime dhe kapacitete të mjaftueshme për t’i kërkuar ato, sidomos në zonat pyjore dhe vendet e fshehta ku hidhen mbeturinat“, deklaroi Qyra për emisionin „360 Shkallë“.
Ai thotë se komuna po punon edhe për pastrimin e deponive ekzistuese, por thekson se nevojitet angazhim më i madh i qytetarëve në identifikimin dhe raportimin e tyre.
Ndërkohë, qytetarët e Strugës të intervistuar nga ekipi i emisionit shprehen të kënaqur me punën e deritanishme të kryetarit. Ata vlerësojnë se Qyra po angazhohet dhe po përpiqet të realizojë sa më shumë projekte, duke shprehur besimin se do të vazhdojë të punojë për zgjidhjen e problemeve të qytetit, përfshirë edhe deponitë e egra. Megjithatë, disa prej tyre theksojnë se jo të gjitha problemet mund të zgjidhen brenda natës.

Sipas reportazhit të „360 Shkallë“, në territorin e Komunës së Strugës ka mbi 100 deponi të egra, ndërsa banorët gjenerojnë rreth 21 mijë tonë mbeturina në vit./Ora24.tv

 

 

 

Burimi: Reportazhi i emisionit „360 Shkallë“.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit