Në kuadër të shënimit të 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, kryetari i Komunës së Strugës, Mendy Qyra, realizoi homazhe në Dollogozhdë, ku përkujtoi edhe ditëlindjen e komandantit Nuri Mazari.
Gjatë fjalës së tij, Qyra theksoi rëndësinë e respektimit të figurave historike dhe mbështetjes së vazhdueshme për familjet e dëshmorëve, duke nënvizuar se këto vlera duhet të mbeten të paprekura nga ndikimet politike.
“Ne si institucion dhe unë si kryetar i komunës duhet të jemi gjithmonë pranë familjes dhe pranë kësaj simbolike, sepse Nuri Mazari është një figurë përbashkuese për të gjitha trojet shqiptare. Ai i përket të gjithëve – familjes, neve dhe çdo qytetari, prandaj duhet ta ruajmë si të tillë, pa i dhënë kahje politike, ashtu siç e duan qytetarët dhe siç do ta kishte dashur edhe vetë ai”, deklaroi Qyra.
Ai shtoi se figura e Nuri Mazarit mbetet një simbol bashkimi për shqiptarët, veçanërisht për Strugën dhe Dollogozhdën, duke apeluar që përkujtimi i tij të bëhet me dinjitet dhe unitet.
Në fund, Qyra shprehu shpresën që institucionet të vazhdojnë të kujtojnë këtë ditë të rëndësishme, si Ditën e Dëshmorëve, ashtu edhe ditëlindjen e komandantit Nuri Mazari, si pjesë e kujtesës historike dhe identitetit kombëtar.





