Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka bërë të ditur se për herë të parë këtë verë qyteti do të ketë plazhe publike, ku qytetarët do të mund të qëndrojnë pa qenë të detyruar të paguajnë shezllone apo shtretër plazhi.
Në emisionin “Rishtaz” në “Koha”, Qyra deklaroi se Komuna tashmë ka nisur përcaktimin e hapësirave që do të shërbejnë si plazhe publike.
“Struga do të ketë plazhe publike këtë verë. Ata persona që nuk duan të paguajnë shezllone apo shtretër nuk do të kenë nevojë ta bëjnë këtë. Prej sot kemi filluar me përcaktimin e plazheve publike”, u shpreh ai.
Sipas tij, synimi është që vitin e ardhshëm procesi të nisë më herët, në mënyrë që plazhet të rregullohen në kohë dhe të ofrojnë kushte më të mira për qytetarët dhe turistët.
Qyra theksoi gjithashtu se Komuna do të kërkojë bashkëpunim me pushtetin qendror për miratimin e një zgjidhjeje ligjore që do të mundësojë menaxhimin dhe dhënien në shfrytëzim të plazheve.
Ai bëri të ditur se, sipas përllogaritjeve të Komunës, plazhet në zonën urbane të Strugës mund të gjenerojnë të ardhura nga 500 mijë deri në 1 milion euro në vit. Megjithatë, për shkak të mungesës së bazës ligjore, këto mjete nuk mund të arkëtohen këtë vit, me përjashtim të kontratave që mund të lidhen drejtpërdrejt me hotelet.
Sipas Qyrës, këto të ardhura në të ardhmen duhet të derdhen në buxhetin e Komunës së Strugës./Ora24.tv





