Qeveria në mbledhjen e sotme vendosi të zgjasë masën për uljen e akcizave të derivateve të naftës deri më 15 qershor, me qëllim lehtësimin e kostove për qytetarët dhe bizneset.
Njëkohësisht, pas bisedimeve me OKTA, është siguruar një zbritje shtesë prej 2 denarësh për litër, e cila do të hyjë në fuqi nga nesër, 1 qershor.
Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, masat e kombinuara pritet të ulin çmimin e naftës dizel me 6.5 denarë për litër, ndërsa benzina do të jetë më e lirë për 1.5 denar për litër.
Nga Qeveria vlerësojnë se këto masa përfaqësojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët, sektorin e transportit, bujqit dhe ekonominë në përgjithësi, duke kontribuar në uljen e kostove të jetesës dhe të biznesit, si dhe në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në kushtet e sfidave ekonomike globale.
Qeveria thekson se do të vazhdojë të ndërmarrë masa për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe forcimin e sigurisë ekonomike në vend.





