Qeveria sërish hyn në borxh, merr 260 milionë euro kredi për të mbuluar zbratësirat buxhetore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po hyn në një tjetër borxh, tanimë ndaj kreditorëve ndërkombëtarë. Edhe pse fillimisht Ministria e Financave synonte të siguronte plot 300 milionë euro, pas mbylljes së negociatave me një grup bankash evropiane dhe botërore, vlera e kredisë së dakorduar është 260 milionë euro.

Këto mjete do të përdoren kryesisht për mbulimin e nevojave buxhetore, ndërsa një pjesë e tyre “ndoshta” do të orientohet drejt investimeve kapitale.

Si kreditor kryesor i kësaj marrëveshjeje shfaqet Merrill Lynch International, ndërsa në grupin e huadhënësve bëjnë pjesë edhe katër institucione të tjera të fuqishme: KfW IPEX-Bank (Gjermani), BBVA (Spanjë), Erste Group Bank (Austri), AKA Ausfuhrkredit-Gesellschaft.

Për të marrë këto para, shteti është pajtuar me kushte që do të rëndojnë arkën e shtetit për vitet e ardhshme: Afati i shlyerjes: 7 vjet (me një periudhë “grace” prej 3 vitesh).
Interesi: I ndryshueshëm, i bazuar në EURIBOR-in 6-mujor plus 2.10%.

Shteti do të paguajë menjëherë një provizion prej 1.4% të vlerës totale (rreth 3.6 milionë euro vetëm tarifë) dhe një provizion vjetor prej 12,500 eurosh për agjentin.

Pse po merret ky borxh?

Sipas projektligjit të dorëzuar në Kuvend, kjo rritje e borxhit bëhet për “sigurimin e stabilitetit fiskal” dhe “refinancimin e detyrimeve ekzistuese”. Pra, praktikisht shteti po merr borxh të ri për të larë borxhet e vjetra dhe për të mbajtur në këmbë buxhetin e rënduar.

Negociatat janë mbyllur më 13 maj 2026, dhe tani pritet vetëm miratimi në Kuvend që paratë të lëshohen në një këst të vetëm. Ky hap vjen në një kohë kur nevojat e shtetit për para të gatshme janë rritur ndjeshëm, duke e çuar borxhin publik në nivele edhe më shqetësuese. (INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit