4.8 C
Skopje
Saturday, November 15, 2025

Qeveria ndan 100 milionë euro për komunat/30% e fondeve shkojnë për komunat shqiptare

Nga vendimi i Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare në kuadër të projektit “100 milionë euro për komunat”, kanë përfituar të gjitha komunat e vendit, thonë nga Qeveria. Nga kjo masë e qeverisë kanë përfituar edhe komunat shqiptare si Tetova, Gostivari, Çairi, Struga, Kërçova dhe komunat tjera, të cilat kanë marrë mbi 20 milionë euro, apo rreth 30% e shumës totale.

“Në thirrjen e parë të Qeverisë së RMV, janë ndarë gjithsej për Komunat 288 projekte, prej tyre 153 projekte tanimë janë realizuar, ndërsa vlera e përgjithshme me të cilat janë mbështet Komunat ka qenë afërsisht 4.5 miliard denarë. Ndërsa sa i përket vitit 2025, janë fituar nga ana e Komunave plotë 828 projekte, të cilat kapin vlerën e përgjithshme prej 13,8 miliard denarë.”, u shpreh Venera Latifi Azizi, zëdhënëse e Qeverisë.

Nga këto mjete financohen projekte në fushën e mjedisit, transportit, arsimit, sportit, apo kujdesit ndaj fëmijëve, për të cilat komunat nuk kanë fonde të mjaftueshme për t’i realizuar thonë nga Qeveria. Prej atje sqarojnë se ka pasur edhe projekte të cilat janë refuzuar për shkak të dokumentacionit jo të plotë gjatë aplikimit nga komunat, siç ishte rasti me projektet për Komunat e Strumicës, Sarajit, apo Qytetit të Shkupit.

“Vlen të theksohet se disa nga projektet të cilat janë më voluminoze, dhe kërkojnë më shumë punë, ato do të zgjasin edhe për vitin 2026 dhe 2027. Dhe si Qeveri vlerësojmë se ndarja e këtyre mjeteve është vlerë e shtuar për vet Komunat. Për sa i përket vitit 2026, vlen të theksohet se për momentin jemi duke i bërë disa analiza, lidhur me kërkesat dhe nevojat e Komunave, dhe pastaj do të dalim edhe me informacione shtesë.”, u shpreh Latifi Azizi.

Fondet shpërndahen në bazë të numrit të banorëve, Komunës së Çairit i janë ndarë rreth 169 milionë denarë, Gostivarit 162 milionë denarë, Tetovës 81 milionë denarë, Dibrës 42 milionë denarë, Kërçovës 56 milionë, Strugës 136 milionë, Haraçinës 35 milionë denarë, 54 milionë denarë për komunën e Vrapçishtit, 55 milionë për Likovën, 37 milionë për Bërvenicën, 36 milionë denarë për Dollnenin, 68 milionë për Komunën e Shuto Orizarit, Bogovina 60 milionë denarë, Zhelina ka përfituar 51 milionë denarë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit