Qeveria tha sot se e ka miratuar planin për energji dhe klimë për periudhën 2025-2030 me të cilin ajo synon që të ndërmarrë gjithsejtë 61 masa, në të cilan përfshihen edhe projekte për prodhim rryme elektrike nga burimet e ripërtrishme.
“Qeveria miratoi Planin Kombëtar të Integruar për Energjinë dhe Klimën 2025–2030 – një dokument strategjik që e vendos vendin në një rrugë të qartë drejt transformimit të energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përafrimit të plotë me politikat evropiane,” tha ministria e energjisë sot.
Sipas ministries, plani mbulon: 26 masa dekarbonizimi; 20 për efikasitetin e energjisë; 3 për sigurinë energjetike; 11 mbi tregun e brendshëm të energjisë dhe 1 për kërkim, inovacion dhe konkurrueshmëri.
“Fokusi është i qartë – ulja e emetimeve të gazrave serrë, rritja e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe përmirësimi i ndjeshëm i efikasitetit të energjisë,” tha kjo ministri në një komunikatë.
Sipas ministrisë, qeveria do të ndërmarrë “hapa konkretë për të rritur investimet në energjinë diellore, të erës dhe hidroenergjinë; për të futur një sistem çmimesh të karbonit në përputhje me standardet evropiane; për të zhvilluar ruajtjen e energjisë dhe infrastrukturën moderne të energjisë; si dhe për të braktisur gradualisht qymyrin si burim energjie.”
Me zbatimin e planit të miratuar sot, ministria thotë se synohet për një „përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së mjedisit; stabilitet dhe pavarësi më të madhe energjetike; një cikël të ri investimesh në sektorin e energjisë; një tranzicion të përshpejtuar të gjelbër dhe zhvillim ekonomik.“



