“Punojmë për mbijetesë, jo për jetesë” – revolta e punëtorëve në festën e 1 Majit

Dita Ndërkombëtare e Punës u shënua sot me protestë të organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, ku u përsëritën një sërë kërkesash për mbrojtje e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës. Protestuesit kërkuan rritje të pagës minimale si dhe masa konkrete për përmirësimin e standardit jetësor. Sipas përfaqësuesve sindikalë, punëtorët në vend përballen me sfida të shumta ekonomike dhe sociale, duke theksuar nevojën për politika më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse.

“Sot erdhëm t’u themi se sipas të dhënave të tyre, sipas të dhënave të Drejtorisë së të Hyrave Publike, gjysma e popullatës punëtore në Maqedoni jeton me pagë nën 600 euro. Sot erdhëm t’u themi se një e treta e gjithë popullit punëtor në Maqedoni jeton nën pragun e varfërisë. Prej dy vitesh refuzojnë të rrisin pagën minimale sepse nuk duan të kthejnë dinjitetin e punëtorit. Për fat të keq, një numër i madh punëtorësh sot humbin jetën në vendet e tyre të punës; nisen në mëngjes për në punë dhe në mbrëmje nuk kthehen, ndërsa askush nuk ndërmerr asgjë për mbrojtjen e tyre”, theksoi Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së

Nga ana tjetër, Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës kërkoi respektim të marrëveshjeve kolektive dhe përmirësim të kushteve në sektorin e arsimit dhe mbrojtjes sociale.

“Kërkojmë që në afat sa më të shpejtë të fillojë respektimi i Marrëveshjeve Kolektive dhe vlerësimi dinjitoz i punës së të punësuarve në sektorin e arsimit. Gjithashtu, kërkojmë pagë dinjitoze dhe vlerësim dinjitoz të punës për të punësuarit në mbrojtjen e fëmijëve. Nuk heqim dorë nga këto kërkesa, jo sepse ashtu na u tek, por sepse kështu është paraparë me marrëveshjet kolektive. Nuk ka dorëheqje nga kjo luftë, ne vazhdojmë dhe i inkurajojmë edhe kolegët e tjerë që të bashkohen në këtë që kemi nisur”, tha Tomisllav Gievski nga Sindikata e Pavarur e Arsimit

Edhe pse Sindikata e Arsimit dhe Shkencës nuk iu bashkua protestës, disa punonjës të arsimit morën pjesë individualisht. Mes tyre ishte edhe mësimdhënësi Samir Memeti nga Likova i cili tha se ka dalë në protestë për të shprehur pakënaqësinë ndaj kushteve dhe pagave në këtë sektor.

“Ne punojmë për një rrogë robi, për mbijetesë jo për jetesë .Sot duhej jo njëmijë por 100 mijë për t’ju treguar këtyre hajnave që kanë kërkuar vetëbesimin, e kanë marrë, për çka, për manipulime. Nuk mundemi ne të ndërtojmë ardhmëri duke i dërguar fëmijët jashtë. Ata të na blejnë makina, ilaçet apo në spital të paguajnë, ne duhet të luftojmë. Derisa ne heshtim këta, hajnat këtu do të kenë jetë luksoze”, u shpreh Samir Memeti, mësimdhënës në shkollën fillore “Dituria” në Komunën e Likovës.

Protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa sindikatat paralajmëruan se do të vazhdojnë me presionin publik deri në plotësimin e kërkesave të tyre për një jetë më dinjitoze për punëtorët./Alsat.mk.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit