Me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, njoftoi se punimet për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë pritet të nisin gjatë ditëve të ardhshme.
Nikolloski tha se vendi po investon fuqishëm në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, me synimin për të krijuar kushte më të mira dhe një ekonomi më të zhvilluar.
Sipas tij, aktualisht po punohet me intensitet në segmentet Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçan, ndërsa në shtator pritet të nisë ndërtimi i aksit Bukojçan-Kërçovë.
Ai bëri të ditur gjithashtu se në tetor pritet të vihet në përdorim një pjesë e re e autostradës Kërçovë-Ohër, ndërsa përfundimi i të gjithë aksit Kërçovë-Ohër-Strugë është parashikuar për tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Nikolloski tha se gjatë vitit të ardhshëm, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, pritet të nisë edhe ndërtimi i fazës së parë të hekurudhës Shkup-Jegunovcë-Tetovë-Gostivar, e më pas edhe fazat Gostivar-Kërçovë dhe Kërçovë-Ohër-Strugë.






