Psikologia Medina Jonuzi ka folur për ora24.tv mbi përfitimet e muajit të shenjtë të Ramazanit në aspektin psikologjik, duke theksuar se agjërimi nuk ndikon vetëm në trup, por edhe në mendje dhe shpirt.
Sipas saj, nga perspektiva psikologjike, Ramazani ndihmon në forcimin e vetëkontrollit, rrit ndërgjegjësimin dhe thellon kuptimin e jetës. Po ashtu, ky muaj ndikon pozitivisht në përmirësimin e lidhjeve sociale dhe kontribuon në stabilitetin emocional.
Ajo thekson se studimet tregojnë edhe ndryshime metabolike gjatë Ramazanit, si rritje të qartësisë mendore, përmirësim të përqendrimit tek disa persona dhe stabilizim të energjisë pas fazës fillestare të agjërimit.
Sipas Jonuzit, disa hulumtime kanë vënë re ulje të simptomave të ankthit, përmirësim të humorit dhe rritje të ndjenjës së qetësisë shpirtërore gjatë këtij muaji.
Megjithatë, ajo nënvizon se personat me çrregullime të rënda të humorit, çrregullime të të ngrënit apo probleme serioze me gjumin mund të kenë përjetime të ndryshme dhe duhet të kërkojnë këshillë profesionale.
Në fund, psikologia thekson se Ramazani në Islam është kohë drite për zemrën dhe qetësie për shpirtin — një muaj ku durimi bëhet forcë, heshtja bëhet lutje dhe çdo vepër e mirë merr peshë më të madhe.
“Ramazan të pranuar me begati për ju dhe familjet tuaja,” u shpreh Jonuzi.



