Pronari i diskotekës “Puls” në Koçan pritet të dalë nga paraburgimi më 3 tetor

Advertisement

Dejan Jovanov Deko, pronari i diskotekës “Puls” në Koçan, ku nga zjarri katastrofal humbën jetën 63 persona, pritet të dalë nga paraburgimi më 3 tetor 2026.

Lajmin për “Telma” e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, duke sqaruar se masa e fundit e paraburgimit ndaj Jovanovit është zgjatur deri më 3 tetor.

Nga gjykata bëjnë të ditur se, sipas dispozitave ligjore, paraburgimi mund të zgjasë maksimumi një vit nga vlerësimi i aktakuzës. Aktakuza ndaj Jovanovit është vlerësuar më 3 tetor 2025.

“Ju njoftojmë se masa e paraburgimit, e përcaktuar kundër të akuzuarit të parë Dejan Jovanov, nga këshilli penal është zgjatur deri më 03.10.2026, duke pasur parasysh se aktakuza është vlerësuar më 03.10.2025 dhe sipas dispozitave ligjore masa e paraburgimit mund të zgjasë deri në maksimum një vit nga vlerësimi i aktit”, kanë deklaruar nga gjykata.

Sipas Gjykatës Penale, pas skadimit të afatit për paraburgim mund të përcaktohen masa të tjera për sigurimin e pranisë së të akuzuarit gjatë vazhdimit të procedurës gjyqësore.

Jovanov u arrestua pas zjarrit në diskotekë më 16 mars, ndërsa më 23 mars iu caktua masa e paraburgimit. Procesi gjyqësor ndaj tij dhe 33 të akuzuarve të tjerë nisi në nëntor dhe ende është në zhvillim.

Në mesin e të akuzuarve është edhe vëllai i tij, Todor Jovanov, ndaj të cilit është hequr masa e arrestit shtëpiak pasi ka ofruar garanci në pasuri të paluajtshme në vlerë prej rreth 320 mijë eurosh.

I akuzuar është edhe djali i Dejan Jovanovit, ndaj të cilit janë caktuar masa kujdesi.

Dejan Jovanov në disa raste ka kërkuar heqjen e paraburgimit, duke u thirrur në gjendjen e tij shëndetësore, por kërkesat nuk janë pranuar nga gjykata.

Kërkesat për ndryshimin e masës së paraburgimit kanë shkaktuar reagime nga familjarët e viktimave, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimin e procedurës.

Ndërkohë, gjatë muajve të fundit, gjykata ka pranuar garanci dhe ka hequr masën e arrestit shtëpiak për disa të akuzuar, duke u caktuar masa alternative. Nga gjykata kanë deklaruar se personat në fjalë paraqiten rregullisht në seancat gjyqësore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit