Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka përfunduar se nuk ekziston bazë për dyshim se është kryer vepër penale gjatë prokurimeve publike që lidhen me ndërtimin e 19 spitaleve modulare.
Pas kontrolleve dhe analizës së dokumentacionit të mbledhur, prokurori kompetent ka vlerësuar se nuk ka prova për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas nenit 353 të Kodit Penal, apo për ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Lënda ishte hapur më 10 shtator 2021, me qëllim verifikimin e dokumentacionit të prokurimeve dhe përcaktimin nëse gjatë zbatimit të tyre kishte elemente të veprave penale.
Gjatë hetimit u siguruan dokumente nga disa institucione, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave – Byronë për Prokurime Publike, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Qeverinë dhe Prokurorinë Publike në Tetovë. U shqyrtuan kontratat, specifikimet teknike, dokumentacioni projektues, procedurat e prokurimit dhe aktet ligjore përkatëse.
Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës prill–qershor 2020 janë zhvilluar disa procedura për sigurimin e kapaciteteve shtesë shëndetësore për përballimin e pandemisë së COVID-19. Ato përfshinin vendosjen e kontejnerëve montues pranë Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup, furnizimin me pajisje jo-mjekësore për Qendrën Rajonale COVID dhe ndërtimin e një reparti modular ambulant-poliklinik për Klinikën e Pulmologjisë dhe Alergologjisë.
Është shqyrtuar edhe procedura për furnizimin me kontejnerë modularë në kuadër të projektit për përballimin urgjent të COVID-19, të financuar përmes huasë nga Banka Botërore. Prokuroria thekson se kjo procedurë është zhvilluar sipas rregullave të Bankës Botërore dhe përmes kërkesës për oferta në tregun ndërkombëtar.
Byroja për Prokurime Publike ka konfirmuar se në këtë rast nuk zbatohen dispozitat e Ligjit për Prokurime Publike, pasi furnizimet e tilla zhvillohen sipas rregullave të organizatave ndërkombëtare.
Në kuadër të kontrolleve është shqyrtuar edhe dokumentacioni lidhur me ndërtimin dhe vendosjen e objekteve modulare. Nga dokumentet rezulton se disa institucione shëndetësore publike kishin vendime nga Ministria e Shëndetësisë për vendosjen e objekteve, si dhe dokumentacionin përkatës projektues.
Prokuroria ka shqyrtuar gjithashtu dokumentacionin lidhur me aktivitetet e Bankës Botërore pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Në tetor 2021 janë vizituar objektet në Gostivar, Strugë, Prilep, Veles dhe Shtip, ku është kontrolluar përputhshmëria me standardet e projektimit, siguria dhe mbrojtja nga zjarri.
Sipas dokumentacionit të siguruar, ekipi i Bankës Botërore ka konfirmuar se procedura e furnizimit ishte zhvilluar në përputhje me rregullat e bankës dhe se materialet e dorëzuara përputheshin me specifikimet teknike.
Pas shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria nuk ka konstatuar fakte që do të tregonin se ndonjë person zyrtar ka keqpërdorur ose tejkaluar autorizimet e tij, apo se ka vepruar me qëllim përfitimi të kundërligjshëm ose shkaktimit të dëmit.
Për këtë arsye, është vlerësuar se nuk ekziston bazë për dyshim për vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe se nuk ka bazë për vazhdimin e procedurës nga Prokuroria Publike.






