Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot intelektualin dhe atdhetarin Enver Maloku, bashkëpunëtor të afërt të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Në mesazhin e saj, Osmani theksoi se Maloku besoi te fuqia e fjalës, dialogu dhe vizioni rugovian i lirisë – një Kosovë e lirë, demokratike dhe e orientuar drejt Perëndimit. Ai konsiderohet arkitekt i komunikimit politik që e çoi të vërtetën e Kosovës përtej kufijve dhe zëri i urtësisë në kohët më të vështira.
“Enver Maloku i shërbeu atdheut me integritet dhe përkushtim, duke lënë gjurmë të thella në rrugën tonë shtetformuese”, tha Osmani. Ajo gjithashtu kujtoi se vrasja e tij mbetet një krim që kërkon ende zbardhje dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.
“Është obligim i institucioneve të drejtësisë dhe borxh ndaj zërit të së vërtetës sonë. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!”, përfundoi Presidentja./KultPlus.com



