Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar përfaqësues të vendeve partnere pas takimit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Osmani përmes një postimi në X ka thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet euroatlantike.
“E kënaqur që takohem me përfaqësues nga vendet partnere pas takimit të KS të OKB-së sot. Një mundësi e shkëlqyer për të festuar hapat e vazhdueshëm të Kosovës dhe për të diskutuar rrugën tonë të palëkundur drejt institucioneve euroatlantike. Kosova është krenare që ka kaq shumë miq dhe aleatë në krah të saj!”. Ka shkruar Osmani në X.
Presidentja ka marrë pjesë të hënën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Presidentja Osmani në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit, ku të pranishme ishin edhe katër heroinat kosovare Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Taihri e përballi Vuçiqin me krimet e luftës të kryera në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Osmani para presidentit serb Alekandar Vuçiq ka treguar se Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhuna nga forcat e Sllobodan Millosheviqit.
“Sot me mua është edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhunua jo vetëm një herë, por dy herë, nga forcat e Millosheviqit. Ata donin ta shkatërronin dhe t’ia vrisnin shpresën. Për këtë arsye ata pamëshirshëm zgjodhën një prej mjeteve më të rënda të luftës – dhunimin. “Do të vuash më shumë nëse të lëmë të gjallë”, i thanë ata asaj, teksa u lutej që ta vrisnin.
Osmani ka thënë se më shumë se 1600 persona nga Kosova janë ende të zhdukur me forcë në varrezat masive në Serbi. Ani pse, siç tha ajo në Këshill të Sigurimit, është arritur marrëveshje në Bruksel për hapjen e arkivave, presidenti serb po vazhdon ta refuzojë atë. /Reporteri.net/