Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk dëshiron të komentojë për të ashtuquajturën “aferë e spiunimit” në Kabinetin e saj, por thotë se është konfuze nga përgjigjet e Prokurorisë, përcjell TV21. Ajo vlerëson se duhet të respektohet Ligji për Procedurën Penale dhe prezumimi i pafajësisë. Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka hapur procedurë parahetimore për shkak të dyshimeve për kopjim të paautorizuar të të dhënave nga sistemi i Kabinetit të presidentes dhe thotë se ende nuk i ka marrë rezultatet dhe provat nga MPB-ja. Nga ana tjetër, MPB informon se vazhdon analiza e pajisjeve dhe të dhënave të konfiskuara dhe se të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen Prokurorisë pas përfundimit të hetimit.
“Jam pak konfuze me përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve ose me njoftimet që vijnë pikërisht nga Prokuroria për krim të organizuar, në të cilat shpjegohet komunikimi i tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Jo, nuk i shmangem deklaratave. Megjithatë, mendoj se duhet të respektohen dispozitat e Ligjit për Procedurën Penale dhe sa i përket prezumimit të pafajësisë, por siç thashë edhe sa i përket mbledhjes së të dhënave dhe hapjes eventuale të një procedure penale”, theksoi gordana siljanovska davkova, presidente.





