Plazhet në bregun e Liqenit të Strugës prej rreth dhjetë vitesh funksionojnë pa koncesione, ndërsa Komuna e Strugës humb të ardhura që, sipas kryetarit të komunës, Mendi Qyra, arrijnë në të paktën gjysmë milioni euro.
Kontratat për menaxhimin e plazheve kanë skaduar në vitin 2016. Ndërkohë, përgjatë bregut të Liqenit të Strugës janë ndërtuar objekte të ndryshme, përfshirë edhe ndërtime të forta, duke krijuar një situatë të cilësuar si kaotike dhe me urbanizim të pakontrolluar.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, thotë se plazhet aktualisht funksionojnë pa koncesion dhe nuk i paguajnë asnjë denar Komunës së Strugës.
“Qytetarët duhet ta dinë se tani plazhet punojnë pa koncesion dhe për momentin nuk paguajnë asnjë denar në komunë. Prandaj, si kryetar komune, kam propozuar që të merret një vendim për menaxhimin e tyre, në mënyrë që të mund të mbledhim të ardhura. Në këtë pjesë, komuna do të humbë të paktën rreth gjysmë milioni euro”, deklaroi Qyra.






