Petrushevski: Filipçe nuk sheh kërcënim për identitetin, pushtetin e vendos para interesave kombëtare

Shkup, 22 qershor – Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, ka akuzuar kryetarin e LSDM-së, Vенко Filipçe, se është i gatshëm të shkojë edhe më larg se ish-kryeministri Zoran Zaev në pranimin e kërkesave bullgare, duke vlerësuar se për të pushteti është më i rëndësishëm se interesat kombëtare.

Sipas Petrushevskit, ndërkohë që Bullgaria vazhdon të kontestojë gjuhën, historinë dhe identitetin maqedonas, Filipçe minimizon shqetësimet e qytetarëve dhe relativizon qëndrimet bullgare.

“Në vend që t’i dënojë këto pozicione të Bullgarisë, ai krijon hapësirë për pranimin e tyre. Për Filipçen nuk ka vija të kuqe, nuk ka pozicione kombëtare dhe as interesa shtetërore që nuk do t’i vinte në tryezë nëse kjo do ta afronte më lehtë drejt pushtetit”, thuhet në reagimin e Petrushevskit.

Ai vlerëson se Filipçe nuk po kërkon mbështetjen e qytetarëve, por të faktorëve ndërkombëtarë që, sipas tij, prej vitesh ushtrojnë presion ndaj Maqedonisë së Veriut.

Petrushevski thekson se qytetarët tashmë e kanë paguar çmimin e politikave të LSDM-së dhe Zoran Zaevit, duke shtuar se VMRO-DPMNE nuk do të lejojë përsëritjen e të njëjtit skenar përmes udhëheqjes aktuale të opozitës.

“Maqedonia nuk ka nevojë për politikanë që kërkojnë pushtetin përmes lëshimeve kombëtare, por për liderë që dinë të mbrojnë identitetin, gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase”, theksoi Petrushevski.

Deklaratat e tij vijnë në vazhdën e debatit politik mes pushtetit dhe opozitës lidhur me raportet me Bullgarinë dhe procesin e integrimit evropian të vendit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit