22.8 C
Skopje
Sunday, October 6, 2024

Përplasjet për “Branitellat” vazhdojnë, Mexhiti: LSDM-ja s’e miratoi sa ishte në pushtet

Ligji për “branitellat” është një nga tendencat për destabilizimin e situatës në vend nga ana e opozitës LSDM-BDI, thotë zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti. Mexhiti thekson se LSDM-ja pas tetë vitesh në pushtet është kujtuar të propozojë ligj për branitellat. Ai zotohet se ligji nuk do të miratohet.

“Ne bisedojmë si partnerë brenda qeverisë dhe kjo iniciativë nuk vjen nga qeveria, por vjen nga LSDM e cila deri dje ka luftuar për konceptin qytetar. Brenda radhëve të veta ka edhe votues dhe anëtarë shqiptarë, ka edhe funksionarë shqiptarë dhe e njëjta LSDM, tash pas tetë vitesh i kujtohet të propozon ligj për branitellat, duke e ditur që kjo nuk mund të kalon, por vetëm për të krijuar destabilizim të situatës politike. Dua ta rrumbullakoj se ky ligj nuk kalon”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

LSDM-ja, arsyetohet se ligjin e kanë dorëzuar pasi sipas tyre, tani janë krijuar kushtet. Deputeti Oliver Spasovski, në intervistën për Alsat tha se pret që partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe ZNAM, përveç deklarativisht, ta mbështesin me votë në Kuvend.

“Nëse më pyesni pse, pasi që vlerësuam se tani janë krijuar kushtet e një mbështetje më të gjerë, duke e pasur parasysh se VMRO-DPMNE si parti e cila e ka marrë pushtetin është deklaruar se jep mbështetje absolute për miratimin e këtij ligji, këtu është ZNAM e cila gjithashtu është pjesë e koalicionit qeveritar dhe vlerësuam se në atë mënyrë mund të formohet një mbështetje e gjerë e cila përfundimisht do ta zgjidh problemin e kësaj kategorie të qytetarëve. Këto janë arsyet kryesore, këtu nuk ka asnjë arsye tjetër që mund të interpretohet në mënyrë tjetër”, u shpreh Oliver Spasovski, deputet i LSDM-së.

Paraprakisht, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se i mbështet “branitellat”, por edhe ai kishe thënë se propozim-ligji i LSDM-së është për të shkaktuar tensione ndëretnike.

Propozim-ligji i cili është bllokuar në komision, ka hasur në kundërshtim të ashpër nga partitë shqiptare, të cilat theksojnë se nuk mund të ketë zgjidhje për “branitellat”, pa pasur zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së.

Me këtë zgjedhje ligjore të cilën e ka dorëzuar deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, listës së përfitimeve financiare për ish forcat maqedonase të sigurisë dhe familjarët e tyre, i shtohet një nen i cili parashikon kompensim të njëhershëm financiar në bazë të shkallës së invaliditetit deri në 82.000 euro për person. Krahas “branitellave” të vitit 2001, ligji do t’i kompensojë edhe familjarët e të vdekurve apo pjesëtarëve të vrarë të forcave të sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit