Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Zllatko Perinski, paralajmëroi sot kontrolle më të rrepta mbi pushimet mjekësore, duke theksuar se propozim-ndryshimi në Rregulloren e pushimeve do t’i propozohet Bordit drejtues, me qëllim që të sigurohet që fondet e paguara të arrijnë tek ata që kanë më shumë nevojë për to, si dhe të forcohen mekanizmat që do të mundësojnë parandalimin e abuzimit të mundshëm me pushimet mjekësore.
“Nuk duam të krijojmë një sistem më të rreptë, por duam të krijojmë një sistem të drejtë”, ka thënë Perinski.
Sipas të dhënave që ai prezantoi, vetëm në gusht, Fondi pagoi mbi 623 milionë denarë për pushime mjekësore, nga të cilat 414 milionë denarë u ndanë për pushime të lehonisë, ndërsa pjesa tjetër për pushime të tjera mjekësore.
“Për mua dhe punonjësit e Fondit, këto nuk janë vetëm artikuj brenda buxhetit, por detyrime që ne si Fond jemi të detyruar t’ua ofrojmë atyre që kanë nevojë. Por, në të njëjtën kohë, duhet të jemi edhe përgjegjës për sistemin që menaxhojmë. Kur themi një shifër prej 623 milionë denarësh të paguara vetëm në bazë të pushimit mjekësor, është e qartë se duhet të kemi rregulla dhe mekanizma të përcaktuar qartë në fushën e kontrollit”, theksoi ai.
Një nga ndryshimet kryesore që do të kërkohet nga Bordi drejtues është zvogëlimi i numrit të ditëve të pushimit mjekësor që mund të lëshohen nga mjeku amë – nga shtatë ditë që është aktualisht në pesë ditë.
“Konsiderojmë se edhe pesë ditë në të ardhmen do të jenë të mjaftueshme për të siguruar histori shtesë mjekësore ose për ta vazhduar pushimin mjekësor. Procedura për lëshimin e pushimit mjekësor po lehtësohet për ata persona që nuk janë në gjendje të vijnë personalisht për të siguruar pushim. Sa i përket kontrollit, po krijojmë mekanizma për kontroll të përbashkët me palët e tjera të interesuara brenda sistemit, siç janë Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të gjitha me qëllim që t’u mundësojmë punonjësve brenda sektorit të kontrollit të kryejnë kontrollet në mënyrë adekuate”, shpjegoi Perinski.
Ai shtoi se kontrollet do të kryhen me kërkesë nga punëdhënësi, por edhe në mënyrë rastësore. Nëse kontrolluesi nuk e gjen personin e siguruar në shtëpi, do të lihet një dokument që udhëzon personin të paraqitet para një komisioni mjekësor dhe të japë shpjegim dhe punëdhënësi gjithashtu do të njoftohet.
Perinski informoi se në periudhën e kaluar janë identifikuar parregullsi në rreth 30 për qind të mostrës së hulumtimit me leje mjekësore të marra në MPB, me gjoba të vendosura, derisa analiza e pushimeve mjekësore në Ministrinë e Mbrojtjes është drejt përfundimit. Ai theksoi se abuzime po regjistrohen gjithnjë e më shumë edhe në sektorin privat.
“Do ta them përsëri, tema e pushimeve mjekësore dhe lejes së lehonisë është gjithmonë e ndjeshme në publik dhe ideja jonë nuk është të parandalojmë të drejtën për leje mjekësore, por të parandalojmë abuzimin në kuadër të përdorimit të lejes mjekësore, sepse Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2026 ka parashikuar 6 miliardë e 454 milionë denarë në buxhetin e saj për leje mjekësore dhe leje lehonie. Kjo është një shumë e konsiderueshme dhe në atë drejtim duhet të shtrëngojmë sistemin e kontrollit”, ka thënë ai.
Perinski theksoi se sa i përket fekondimit biologjikisht të asistuar, masa për të lejuar deri në gjashtë përpjekje in vitro tashmë po jep rezultate. Nga mbi 1.880 përpjekje, 237 i referohen përpjekjes së katërt, të pestë ose të gjashtë.
“Për momentin po analizojmë gradacionin e pakos financiare që ofrojmë për një përpjekje. Ekipet mjekësore po punojnë për të përcaktuar një qasje më të individualizuar në lëshimin e kuponit për fekondim biologjikisht të asistuar në përpjekjen e parë, të dytë ose të tretë, të gjitha me qëllim rritjen e përqindjes së mundësisë në përpjekjet e para për të pasur një rezultat pozitiv të të gjithë procedurës. Këto janë plane që planifikojmë t’i zbatojmë nga viti 2027, por për të qenë të sigurt se do të kemi si një strukturë financiare ashtu edhe sigurisht mbështetje mjekësore për këtë, do të na duhet ende pak kohë për ta finalizuar atë”, theksoi Perinski.
Si një lehtësim shtesë për pacientët, Fondi do të propozojë ndryshim në vlefshmërinë e recetave të lëshuara nga shërbimet e kujdestarisë. Në vend të rregullit aktual që receta duhet të realizohet në të njëjtën ditë deri në mesnatë, afati do të zgjatet deri në 24 orë.






