14.8 C
Skopje
Monday, November 17, 2025

PDK pritet të zgjedhë sot kryetarin e ri

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet ta zgjedhë udhëheqësin e ri të partisë gjatë një Konvente që do të mbahet sot pasdite.

Drejtimin e partisë pritet ta marrë Bedri Hamza, ish-kandidati për kryeministër, i cili nuk duket të ketë ndonjë kundërshtar dhe e mori mbështetjen publike të kryetarit të deritanishëm, Memli Krasniqi.

Hamza, 62 vjeç, ka shërbyer dy herë si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit e udhëhoqi komunën e Mitrovicës së Jugut.

Ai është zyrtari i vetëm i partisë që shpalli kandidaturën për ta udhëhequr partinë e dytë më të madhe në vend aktualisht.

Por, jo të gjithë në parti u pajtuan me thirrjen e Konventës pesë ditë pasi Krasniqi njoftoi dorëheqjen të mërkurën e kaluar.

Enver Hoxhaj, i cili dikur udhëhoqi partinë si ushtrues detyre i kryetarit, e kundërshtoi mbajtjen e Konventës kaq shpejt dhe shprehi ambiciet për të garuar, por ai nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme për të qenë pjesë e garës në radhë të parë.

Ai bëri thirrje që Konventa të shtyhet për 23 nëntor, duke thënë se nevojitet më shumë kohë për një garë më cilësore, dhe se një parti demokratike duhet të ketë në garë më shumë sesa thjesht një kandidat të vetëm.

“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra, ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’ia hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, shkroi Hoxhaj në Facebook.

Më herët, PDK-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Hamza do të ketë kundërshtarë dhe deri tani, disa orë para mbajtjes së Konventës, Hamza mbetet zyrtarisht kandidati i vetëm.

Sipas statutit të PDK-së, për të garuar, një kandidat duhet t’i ketë nënshkrimet e 50 delegatëve të partisë dhe kandidaturën duhet ta paraqesë deri në pesë ditë para mbajtjes së Konventës.

PDK-ja synon ta sjellë në krye dikë që mund ta sfidojë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, partia e së cilit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka qenë në pushtet nga viti 2021.

Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, tha për Radion Evropa e Lirë se, ndonëse dorëheqja e Krasniqit ishte e befasishme, “ishte akt i duhur”.

Ai theksoi se zgjedhjet për kryetar mund të shndërrohen në një “përshpejtues të ndryshimeve në PDK, nëse edhe kushtet e tjera të domosdoshme plotësohen”.

Kosova mund të shkojë në zgjedhje parlamentare hiç më larg se në dhjetor, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme, e as vullnetin për bashkëqeverisje, pas zgjedhjeve të shkurtit.

Hamza u zotua për reforma, për ta rikthyer PDK-në “ si partinë kryesore në vend”, kur e shpalli kandidaturën javën e kaluar.

Dhe, nëse Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së, gjë që duket e pashmangshme, atëherë ai e ka vetëm një detyrë, sipas Muhaxhirit.

“Të kërkojë me zell brenda strukturave të PDK-së në gjithë Kosovën njerëz të ri, personalitete të reja, profesionistë të rinj dhe t’i sjellë në fokus si përfaqësues të një gjenerate të re të PDK-së, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një lloj shpresë se PDK-ja mund të reformohet dhe ta rrisë pushtetin e saj”, tha Muhaxhiri./REL

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit