Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Visar Ganiu, ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes së tij pas ndarjes nga jeta të babait.
Përmes një mesazhi publik, Ganiu falënderoi familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Presheva dhe diaspora, të cilët morën pjesë në të pame ose shprehën ngushëllimet e tyre.
Ai theksoi se prania dhe mbështetja e tyre e kanë bërë më të lehtë përballimin e dhimbjes së familjes në këto momente të vështira.
“Prania juaj e bëri dhimbjen më të përballueshme dhe heshtjen e një shtëpie që sapo kishte humbur njeriun e saj, më pak të rëndë”, ka shkruar Ganiu.
Ai shprehu falënderime edhe për të gjithë ata që, megjithëse nuk mundën të ishin të pranishëm, u solidarizuan përmes telefonatave, mesazheve dhe fjalëve ngushëlluese.
Ganiu nënvizoi se gjatë ditëve të pames familja ka dëgjuar shumë rrëfime dhe kujtime për babain e tij, të cilat dëshmojnë respektin dhe vlerësimin që ai gëzonte në mesin e njerëzve.
“Qofsh i Xhenetit, babë. Kujtimi dhe emri yt qofshin gjithmonë me ne”, përfundon mesazhi i tij.






