Flonja Haxhaj
Edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë po vazhdon të sjellë takime të shumta mes autorëve, botuesve dhe lexuesve. Në kuadër të aktiviteteve të këtij panairi, u bë edhe promovimi i librit ‘Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera’ të autores Vlora Konushevci, e cila prezantoi para të pranishmëve librin e saj më të ri dhe ndau me publikun reflektime rreth procesit të shkrimit dhe temave që trajton libri, shkruan KultPlus.
‘Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera’ është një vëllim tregimesh që sjell histori të grave të zakonshme, të përballura me sfida personale, familjare dhe shoqërore. Vlora Konushevci trajton tema si martesa, emigrimi, identiteti, raportet familjare, liria individuale dhe barrët emocionale që individët mbartin gjatë jetës. Tregimet ndërthurin përvoja të ndryshme njerëzore, duke nxjerrë në pah dilemat, sakrificat dhe përpjekjet për të gjetur vendin e vet në një realitet shpesh të ndërlikuar.
Me një qasje të afërt me lexuesin dhe me personazhe që reflektojnë realitete të njohura të shoqërisë sonë, libri ofron një pasqyrë të thellë të përvojave njerëzore dhe të ‘ngarkesave’ që secili bart në mënyrën e vet.
Autorja Vlora Konushevci foli për mënyrën se si kanë lindur tregimet e librit, duke theksuar se frymëzimi ka ardhur nga elemente të zakonshme të jetës së përditshme, të cilave shpesh nuk u kushtohet vëmendja e merituar.
‘Ka qenë një kënaqësi e madhe me bashkëpunu me shtëpinë botuese ‘Onufri’. Libri i ka 11 tregime, unë jam nisë prej gjërave të vogla të cilat nënçmohen në jetë, nuk i jipet rëndësia. Shumica e tregimeve të mia fillojnë me një objekt, me një hekur, me një mur të plasaritur, me një dritë që fiket e ndizet, sepse mendoj që ne si popull jemi ngopur me histori të mëdhaja, këto janë histori të vogla, nuk janë shumë të lavdishme. Protagonistet e mia janë kryesisht gra. Në këto 11 tregime, secili e ka një rrëfim, një copë jete që pak a shumë e shpërfaq shoqërinë tonë dhe frikërat tona’, tha Konushevci.
Duke u ndalur te titulli i librit, autorja shpjegoi se ai është ndërtuar qëllimisht për të nxitur kureshtjen e lexuesit, por edhe për të reflektuar mbi barrat e padukshme që individët, e veçanërisht gratë, mbajnë gjatë jetës së tyre.

‘Titulli pak a shumë tregon se për çka bëhet fjalë. Qëllimisht e kam lënë pak më intrigues që me e marrë pak vëmendjen e lexuesit, sepse ne si njerëz, e në veçanti ne si gra, mendoj që marrim shumë barra, të cilat nuk i marrim vullnetarisht, të cilat na i ka ngarkuar shoqëria, e të cilat shumë shpesh mbështillen me nder, me traditë, me moral, por në fakt ato janë shumica vetëm ngarkesa të panevojshme. Kjo më ka intriguar dhe më ka zgjuar kureshtjen dhe më pas jam marrë me këtë koncept të ngarkesës dhe barrës së atyre të padukshmeve’, u shpreh ajo.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe përfaqësimit të grave në letërsi. Konushevci theksoi se përmes këtij libri është përpjekur t’u japë hapësirë përvojave dhe këndvështrimeve të grave, të cilat sipas saj shpesh kanë munguar në trajtimet letrare tradicionale.
‘Mendoj që në këtë libër i kam dhënë gruas rëndësinë që i takon. Letërsia jonë asnjëherë nuk e ka trajtuar gruan si subjekt, kryesisht e ka trajtuar si objekt, dhe mendoj se secila letërsi, përfshirë edhe kjo e jona, pavarësisht pse është më e vogël, duhet me e pasë edhe këtë perspektivën e gruas, e cila ballafaqohet qoftë edhe me përditshmërinë e vet që nuk është shumë interesante për botën, por realisht aty ndodh e gjithë jeta. Jam vetë grua dhe e kam njohur vetë subjektin’, tha autorja.
Gjatë promovimit, Konushevci foli edhe për motivin e ikjes, i cili shfaqet në disa prej tregimeve të librit, duke e përshkruar atë si një mekanizëm mbrojtës dhe njëkohësisht si një mjet letrar.
‘Mendoj që është një mekanizëm i mbrojtjes. Ne të gjithë kemi situata kur për ta ruajtur mendjen e shëndoshë duhet të ikim prej situatave aktuale dhe prej momenteve në të cilat nuk mund të jesh vetvetja por as të kontribuosh, e në ato raste e kam gjetur ikjen edhe si një metodë letrare’, tha ajo.
Për librin foli edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila vlerësoi veprën për mënyrën se si trajton sfidat e jetës së përditshme dhe realitetin me të cilin përballen veçanërisht gratë.

‘E kam pasur këtë libër në bibliotekën time prej para disa muajve, prej kur u bë promovimi i librit. Zakonisht na intereson momenti që të ka shtyer ta shkruash këtë libër të tillë që përmban sfida me të cilat secili prej nesh përballet gjatë jetës, sfida të cilave në përditshmërinë tonë shumë pak u kushtojmë vëmendje. Ajo që mua më ka bërë përshtypje është pikërisht se sa real është përshkrimi i historive të personazheve që i kemi në libër. Ajo që unë konsideroj shumë të rëndësishme është që sa më shumë libra dhe sa më shumë botime që flasin për sfidat e grave, mendoj që është e jashtëzakonshme’, tha Haxhiu, duke e përgëzuar Vlora Konushevcin për punën e saj.
Ndërkaq, edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë do të zgjasë deri nesër më 21 qershor./KultPlus.com





