I dyshuari kryesor për vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit, nga Velesi, sonte me avion është ekstraduar në Maqedoni nga Turqia dhe shërbimet e sigurisë e kanë transportuar në burgun “Shkup” në Shuto Orizare.
Palevski do të ndahet nga të burgosurit e tjerë në një qeli të veçantë. Vetëm një pjesë e caktuar e rojeve të burgut do të kenë kontaktë me të, që do të thotë se pjesa tjetër e policisë së burgjeve nuk do të ketë akses në të. Në atë pjesë të burgut mund të hyet vetëm me kartë elektronike.
Gjithashtu, për të dyshuarin do të caktohet një kohë e veçantë kur ai mund të dalë i vetëm në oborrin e burgut, do të vizitojë një banjë të veçantë i shoqëruar nga gardianët, do të kontrollohet ushqimi që do të marrë etj.
Krimet për të cilat ai dyshohet janë “rrëmbimi” dhe “vrasje brutale”. Çështja është ende nën hetim, por pritet që së shpejti të përfundojë dhe të ngrihen akuza.
Dy viktimat, Vanja 14-vjeçare dhe berberi Pançe nga Velesi, u raportuan të zhdukur më 24 dhe 27 nëntor të vitit të kaluar. Ata u gjetën të vdekur në afërsi të Velesit dhe Shkupit më 3 dhjetor.
Në këtë rast si i dyshuari i pestë del edhe babai i Vanjës. Ai po ndiqet penalisht për ndihmesë në veprën penale të rrëmbimit. Aktualisht ai ndodhet në arrest shtëpiak.