“Rritja e pagës minimale në 600 euro nuk është kurrfarë kapriçoje, por kërkesë për normalitet social, dhe pa këtë ndërhyrje ligjore, ky normalitet mund të mbetet vetëm privilegj politik. Kur themi 600 euro pagë minimale, nuk po themi që shteti të vazhdojë të jetë vëzhgues pasiv dhe gjërat në ekonomi të lëvizin me inerci. Kërkojmë që paga të rritet dhe Qeveria ta marrë përgjegjësinë e saj”, deklaroi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në debatin e sotëm në komisionin parlamentar për propozim-ligjin për rritjen e pagës minimale.
Bytyqi e kritikoi ashpër Qeverinë për thellimin e varfërisë, kontrollin e dobët mbi çmimet dhe mungesën e dialogut të mirëfilltë social lidhur me pagën minimale prej 600 eurosh. Ai paralajmëroi se rritja e kostove po e gërryen drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Kjo dinamikë na tregon qartë se fuqia blerëse po hahet nga brenda, pra ekziston një tendencë e theksuar që varfëria të tolerohet në mënyrë sistematike. Në këto kushte, Qeveria nuk ka të drejtë të flasë për qëndrueshmëri kur hapet tema e pagave, ndërsa hesht për dështimet e veta institucionale që e mbysin drejtpërdrejt ekonominë”, sqaroi Bytyqi.
Ai theksoi se në vend që të marrë përgjegjësi, Qeveria po e zhvendos barrën te punëtorët dhe sindikatat.
“Po përballemi me një sërë dobësish institucionale që e çojnë ekonominë në gjunjë, e më pas Qeveria u mban ligjërata punëtorëve dhe kompanive që të merren vesh mes vete, duke dërguar mesazhin se nga ana e saj nuk ka hapësirë për paga dinjitoze”, deklaroi deputeti i LSDM-së.



