Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar padi penale në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup kundër tetë personave fizikë, ish-funksionarë dhe zyrtarë të Komunës së Sarajit dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe kundër një inxhinieri mbikëqyrës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, neglizhencë në punë dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afariste.
Të paditur janë:
-
B.B., në cilësinë e ish-kryetarit të Komunës së Sarajit,
-
S.SH. dhe Q.K., ish-sekretarë në Komunën e Sarajit,
-
A.S. dhe Q.A., ish-drejtues të sektorit të urbanizmit në Komunën e Sarajit,
-
A.SH., bashkëpunëtor i ri në Komunën e Sarajit,
-
I.B.SH., drejtues i sektorit për planifikim dhe rregullim të hapësirës në Qytetin e Shkupit,
-
dhe L.T., inxhinier mbikëqyrës.
Ata akuzohen për veprat penale:
-
Keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe të autorizimeve (neni 353 i Kodit Penal),
-
Neglizhencë në punë (neni 353-v),
-
dhe Falsifikim ose shkatërrim të librave afariste (neni 280).
Sipas Policisë Financiare, ekzistojnë dyshime të bazuara se të paditurit, edhe pse ishin të vetëdijshëm se parcela kadastrale nr. 10405/6, Kadastër Saraj, nuk ishte e përfshirë në ndonjë plan urbanistik të detajuar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke hartuar dhe miratuar ekstrakt plani dhe leje ndërtimi me përmbajtje të rreme, si dhe llogaritje të kundërligjshme për kompensimin e tokës ndërtimore.
Ndërkaq, inxhinieri mbikëqyrës ka kryer kontroll teknik fiktiv dhe ka përgatitur raport përfundimtar me të dhëna të pavërteta.
Në këtë mënyrë, të paditurit, duke abuzuar me detyrat dhe duke vepruar me neglizhencë, i kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” DOOEL, me seli në fshatin Glumovë – Saraj, të përfitojë përfitim të paligjshëm në shumë prej 108.638.840 denarë (rreth 1.76 milionë euro).





