Pacolli dhe Ahmeti dakordohen për bashkëpunim, synohet ndërtimi i një deponie moderne për rajonin e Prishtinës

Advertisement

Prishtinë, 07 korrik – Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ku është diskutuar për zgjidhjen afatgjatë të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Në takim, ku ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i parë, Avni Zogiani, u theksua rëndësia e krijimit të një infrastrukture moderne për trajtimin e mbeturinave dhe nevoja për identifikimin e një lokacioni të përshtatshëm për këtë projekt.

“Në takim u theksua nevoja për përcaktimin e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e një deponie moderne me komponentë të ndarjes dhe riciklimit të mbeturinave, si parakusht për modernizimin e sistemit të deponive dhe mbylljen e deponisë së Mirashit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas ministrisë, projekti synon të krijojë një zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës, duke përfshirë riciklimin dhe ndarjen e tyre, si pjesë e modernizimit të sistemit ekzistues.

Pas diskutimeve, ministrja Pacolli dhe kryetari Ahmeti u pajtuan që institucionet qendrore dhe lokale të punojnë së bashku për realizimin e projektit.

“Të dyja palët u dakorduan të bashkëpunojnë ngushtë për identifikimin e lokacionit më të përshtatshëm për realizimin e këtij projekti”, thuhet në njoftim.

përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit