Osmani: Kam dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, vendi shkon në zgjedhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në një konferencë për media, Osmani tha se është paraqitur para qytetarëve pasi, sipas saj, përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Ajo shtoi se, në përputhje me kompetencat kushtetuese, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

“Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha presidentja.‚

Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani tha se kjo nuk ka qenë një situatë e rastësishme, por sipas saj një kalkulim i menduar politik.

“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, ka theksuar Osmani. RTK/KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit