Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka ngritur dilema serioze mbi legjitimitetin e përfaqësimit të shqiptarëve nga partitë shqiptare në qeveri, duke vënë në pikëpyetje përputhjen mes pretendimeve të tyre politike dhe veprimeve konkrete.
Etiketat janë më pak të rëndësishme se pyetja që dëgjoj shpesh nga aktorë ndërkombëtarë për këta në qeveri:
– Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur shqiptarët janë 100% pro-evropianë, ndërsa ata mbështesin politika që e bllokojnë rrugën drejt BE-së?
– Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur krijojnë ambient që gjuha shqipe të trajtohet si çështje dytësore e jo si e drejtë e barabartë?
– Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur mekanizma realë mbrojtës zëvendësohen me ligje të dobëta, pa fuqi ekzekutive?
– Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur heshtin përballë padrejtësive që prekin pikërisht shqiptarët?
Pra, çështja nuk është fjala e djeshme. Çështja është kontradikta e përditshme mes asaj që pretendohet dhe asaj që bëhet.




