Onkologjia e Shkupit në kolaps: Kaos dhe pritje me orë nga pacientët me kancer, nuk ka zgjidhje

Advertisement

Pacientët me kancer në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup po përballen me pritje të gjata, për shumë orë për të marrë terapinë. Rritja e numrit të pacientëve, përqendrimi i shërbimeve vetëm në Shkup dhe mungesa e decentralizimit kanë krijuar mbingarkesë të vazhdueshme, duke rënduar edhe më shumë gjendjen e personave që luftojnë me sëmundje të rënda. Tani për tani nuk ka zgjidhje konkrete, shkruan Portalb.mk.

Pritje deri në “12 orë” për terapi

Kaos, radhë të gjata dhe pritje të lodhshme me orë të tëra. Ky është realiteti i përditshëm në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup.

Që nga orët e para të mëngjesit, korridoret mbushen me pacientë që presin të marrin terapinë e tyre, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të kalojnë pothuajse tërë ditën në pritje.

Pacientë nga mbarë vendi udhëtojnë drejt kryeqytetit me shpresën se do të shërbehen më shpejt, por shpesh përfundojnë duke pritur me orë të tëra.

Një paciente të cilën e takuam në duke pritur jashtë Klinikës së Onkologjisë, për Portalb.mk, tha se ka raste që pret deri në 12 orë, për të marrë terapinë.

Ajo tha se kishte shkuar që në orën 6 për të vendosur librezën të parët në sportel, që të vijnë në rend të parë dhe të marrin numrin e pritjes.

“Ne jemi pacientë, nuk e di si do ta kuptojnë mjekët dhe opinioni këtë gjendje, por gjendja është tepër e vështirë për ne. Sa u përket mjekëve, secili, ka metodën e vet të kurimit. I kuptojmë mjekët, sepse ngarkesa e madhe e tyre e bën të vetën, por problemi kryesor nuk janë mjekët por është sistemi dhe mosorganizimi i duhur”, tha ajo.

Ajo sqaroi se vjen nga një vend larg kryeqytietit dhe shpesh kanë probleme edhe me transportin.

“Radioterapia ofrohet vetëm në Shkup. Do të ishte mirë të hapeshin edhe dy qendra të tjera: njëra në Maqedoninë Lindore dhe tjetra në atë Perëndimore, për ta rregulluar kaosin”, tha ajo.

Numri i pacientëve po rritet

Ngarkesa në Klinikën e Onkologjisë po shtohet nga viti në vit. Sipas të dhënave, kanceri i gjirit mbetet forma më e përhapur e sëmundjes.

Kjo rritje e vazhdueshme po reflektohet drejtpërdrejt në numrin e pacientëve që kërkojnë trajtim dhe terapi në klinikë.

EZRA: Sistemi shëndetësor në kolaps

Liridona Beqiri, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “EZRA” e cila mbështet pacientët me kancer, vlerëson se qytetarët nuk po përballen thjesht me vonesa, por po përballen me një kaos të organizuar keq, ku terminet mungojnë, informacioni është i paqartë dhe koha e pacientit trajtohet si diçka pa vlerë.

Liridona Beqiri. Foto nga arkivi i saj personal
Liridona Beqiri. Foto nga arkivi i saj personal

“Kaos i pritjes në radiologji nuk është thjesht një problem organizativ, është një dështim i drejtpërdrejtë i prioriteteve në shëndetësi. Është e papranueshme që shërbimet diagnostike të jenë peng i mungesës së planifikimit, mungesës së stafit dhe një sistemi që reagon vonë, në vend që të parandalojë herët”, tha Beqiri.

Ajo thekson se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka detyrimin të garantojnë qasje të shpejtë dhe dinjitoz në diagnostikim, duke u nisur nga ajo se radiologjia është porta e parë e mbijetesës.

“Dhe kur kjo portë mbyllet nga pritjet e gjata, sistemi nuk është thjesht i ngadalshëm por është në kolaps. Sistemi ynë shëndetësor po shfaq shenja të qarta kolapsi në hallkat e tij më jetike, dhe radiologjia është një nga pasqyrat më të forta të kësaj gjendjeje”, tha ajo.

Revizioni kërkoi shpërndarje të shërbimeve

Edhe Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar nevojën që Ministria e Shëndetësisë të angazhojë më shumë kapacitete në institucionet publike shëndetësore që kanë kushte për trajtimin e pacientëve onkologjikë.

Sipas revizorëve, decentralizimi i shërbimeve do të mund të ulte pritjet, veçanërisht për pacientët jashtë Shkupit, dhe do të zvogëlonte presionin mbi Klinikën e Onkologjisë.

Mbi pesë mijë pacientë të rinj vetëm vitin e kaluar

Drejtori i Klinikës Universitare të Radiologjisë dhe Onkologjisë, Igor Stojkovski, për Portalb.mk, tha se vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 5.500 pacientë të rinj onkologjikë që marrin terapi.

“Në kuadër të Klinikës realizohen çdo vit rreth 38.000 deri në 39.000 aplikime të terapisë sistemike onkologjike, në baza ditore, duke përfshirë kimioterapinë, terapinë e synuar, imunoterapinë dhe terapinë mbështetëse, si dhe barna të tjera mbështetëse si bisfosfonatet. Klinika realizon gjithashtu një numër të konsiderueshëm procedurash të radioterapisë”, tha Stojkovski.

Ai mes tjerash theksoi se çdo ditë pune kryhen rreth 10 deri në 15 CT simulime për planifikim radioterapie, përkatësisht rreth 3.000 në vit, ndërsa se në fushën e radioterapisë, në tre përshpejtues linearë realizohen rreth 180 fraksione radioterapie në ditë, që përbëjnë rreth 45.000 fraksione në vit.

Përmes sistemit ‘afterloader’ për brahiterapi me dozë të lartë (HDR) realizohen mesatarisht rreth 3 procedura në ditë pune, ose rreth 750 në vit”, tha Stojkovski.

Ministria premtoi decentralizim

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu për Portalb.mk,tha se Ministria po punon për decentralizimin e shpërndarjes së terapisë, me qëllim që trajtimi të mos ofrohet vetëm në Shkup.

Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. Foto: Ministria e Shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. Foto: Ministria e Shëndetësisë

Sipas tij, përveç Klinikës së Onkologjisë në kryeqytet, terapia planifikohet të ofrohet edhe në Tetovë, Manastir dhe në Spitalin Klinik “8 Shtatori”.

“Tani më në Tetovë jemi në fazën finale dhe na mungon vetëm edhe një aparaturë për të finalizuar të gjithë mjetet e nevojshme për realizimin e dhënies së terapisë. Ndërsa të njëjtën planifikojmë ta bëjmë edhe në Manastir, ku për momentin janë kushtet më të volitshme por atje kemi mungesë të stafit mjekësor”, u shpreh Aliu.

Skriningu ende pa rezultatet e pritura

Ndërkohë, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje nuk po jep rezultatet e pritura, megjithëse në vitin 2023 janë shpenzuar 22.9 milionë denarë për aktivitete skriningu.

Ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta, veçanërisht për kancerin e gjirit, numri i rasteve të të cilit ka shënuar rritje të vazhdueshme në vend.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit