Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në vazhdën e angazhimeve të saja për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e potencialeve ekonomike të vendit, zhvilloi takim me z. Luis Fernando del Valle – Kryetar i Odës Ekonomike Brazilo-Maqedonase (BRA-MAK) dhe kandidat për Konsull nderi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Sao Paulo, Brazil.
Delegacioni i OEMVP-së, i përbërë nga Kryetari z. Qyra, Drejtori ekzekutiv z. Zeqiri, Nënkryetari z. Asani dhe anëtarët e Këshillit Drejtues, z. Mustafa dhe znj. Aliu, mirëpriti z. del Valle në ambientet e Odës, ku u zhvilluan diskutime substanciale mbi mundësitë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Brazilit.
Të dyja palët ndanë qëndrimin se ekziston një potencial i madh i pashfrytëzuar në krijimin e partneriteteve në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë edhe arsimin, inovacionin dhe eksportin e produkteve me vlerë të shtuar.
Në takim u theksua rëndësia strategjike e forcimit të lidhjeve ekonomike përmes krijimit të urave të reja të komunikimit ndërmjet sektorëve privatë të të dy vendeve. Gjithashtu, pikë e diskutimit ishte edhe potenciali i madh që ofron rajoni për zhvillimin e turizmit, si një ndër sektorët me ndikim të shumëfishtë ekonomik veçanërisht në funksion të krijimit të itinerareve rajonale që do të mund të promovonin Maqedoninë e Veriut si një destinacion tërheqës për turistët nga Brazili.
OEMVP dhe BRA-MAK shprehën gatishmëri për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe për të avancuar dialogun ekonomik ndërkombëtar në interes të zhvillimit të ndërsjellë.