Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) zhvilloi takim me Kandidatin e Pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit, z. Visar Ademi, ku u prezantua Platforma për Zhvillim Ekonomik Lokal.
Me këtë takim, OEMVP përmbylli ciklin e konsultimeve me kandidatët për kryetarë komunash dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në kuadër të dialogut për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Z. Visar Ademi u mirëprit nga U.D. Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, dhe Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti. Diskutimi u fokusua në programin qeverisës të kandidatit për Komunën e Gostivarit dhe në shtyllat kryesore të platformës së OEMVP-së.
Në fjalën e tij, z. Nuhi Aliu theksoi rëndësinë e partneritetit publiko-privat si bazë për zhvillim të qëndrueshëm lokal, duke potencuar se OEMVP do të vazhdojë të jetë ura lidhëse midis sektorit privat dhe pushtetit vendor.
Nga ana tjetër, z. Visar Ademi prezantoi vizionin e tij për Gostivarin, duke vënë theks të veçantë në ekonominë e gjelbër, digjitalizimin, inovacionin, arsimin dhe përfshirjen e të rinjve. Ai theksoi se projektet kapitale duhet të orientohen drejt energjive të rinovueshme dhe mbrojtjes së mjedisit.
Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri, prezantoi pikat kryesore të Platformës për Zhvillim Ekonomik Lokal, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, transparencës dhe institucioneve efektive për një ekonomi të fuqishme dhe konkurruese.