Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka pritur në vizitë ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, me të cilin ka diskutuar për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe mjedisore në interes të qytetarëve.
Sipas Beqirit, në takim është biseduar për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit fekal në rrugën 12, në krakët 63, 64 dhe 65, si dhe në rrugën 14, në krakët 46 dhe 48.
Gjatë vizitës, ata kanë inspektuar nga afër punimet në kanalizimin atmosferik në rrugën 11, projektin për rregullimin e shtratit të lumit në fshatin Grushinë, si dhe stacionin për riciklim.
Po ashtu, është diskutuar edhe për projektin e ri që pritet të nisë së shpejti për rregullimin e shtratit të lumit në Orllancë, me gjatësi prej rreth 930 metrash.
Beqiri e falënderoi ministrin Hoxha për mbështetjen konkrete dhe gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.





