Nis rikonstruksioni dhe transformimi i Çarshisë së Vjetër në Çair – investim prej 29 milionë denarësh

Sot në terren, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, shënoi nisjen e punimeve për rikonstruimin dhe transformimin e Çarshisë së Vjetër, një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme infrastrukturore në këtë zonë historike në dekadat e fundit.

Sipas Mexhitit, projekti përfshin një rikonstruksion të thellë në një sipërfaqe prej 1.567 metrash katrorë, duke synuar modernizimin e plotë të infrastrukturës dhe ruajtjen e identitetit autentik të Çarshisë. Në kuadër të punimeve do të realizohet rrjet i ri i ujësjellësit dhe kanalizimit, instalim i rrjetit modern elektrik dhe vendosje e fibrës optike.

Një element i veçantë i projektit është rikthimi i pamjes tradicionale përmes përdorimit të gurit travertin dhe ndriçimit karakteristik, duke respektuar trashëgiminë kulturore të zonës.

Investimi kap vlerën prej rreth 29 milionë denarësh dhe përfshin edhe rindërtimin e rrugëve përreth, me qëllim trajtimin e Çarshisë si një tërësi funksionale dhe të integruar.

“Pas më shumë se 50 vjetësh, ky është projekti më i madh i këtij lloji. Është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së aktivitetit dhe rikthimit të jetës në këtë zonë,” theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se transformimi i Çarshisë do të sjellë një dimension të ri zhvillimi, duke zëvendësuar simbolikisht zhurmën e dikurshme të zejtarëve me “jehonën e zhvillimit dhe investimeve”.

Sipas tij, Komuna e Çairit po vazhdon me projekte të mëdha dhe investime të drejtpërdrejta që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit