Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, ka vlerësuar rolin e ekspertizës profesionale në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe realizimin e drejtësisë, gjatë konferencës vjetore të Odës së Ekspertëve.
Nikolloski theksoi se pas çdo vendimi të drejtë gjyqësor qëndron një proces i gjerë i vërtetimit të fakteve, analizës së provave dhe zbatimit të njohurive profesionale nga ekspertët, duke nënvizuar përgjegjësinë shoqërore dhe juridike që mbart kjo veprimtari.
Ai u shpreh se ekspertët janë një segment jo gjithmonë i dukshëm, por me rëndësi të madhe për funksionimin e shtetit dhe institucioneve.
“Ekspertiza përfaqëson një nga shtyllat e rëndësishme të sistemit gjyqësor, pasi mundëson që çështjet komplekse profesionale, teknike, ekonomike, mjekësore dhe të tjera nga jeta të sqarohen përmes dijes, përvojës, metodologjisë dhe, më e rëndësishmja, objektivitetit profesional”, deklaroi Nikolloski.
Ai vlerësoi edhe rolin e Odës së Ekspertëve në rregullimin, avancimin dhe afirmimin e profesionit, duke theksuar se rëndësia e saj nuk qëndron vetëm në organizimin institucional, por edhe në ndërtimin e standardeve profesionale, ekspertizës, integritetit dhe besimit.
Nikolloski shtoi se, në një kohë kur marrëdhëniet shoqërore dhe juridike po bëhen gjithnjë e më komplekse, nevoja për ekspertizë cilësore, të pavarur dhe profesionale po rritet vazhdimisht.
“Kur qytetarët gjithnjë e më shumë kërkojnë zbatimin e ligjeve dhe kur shteti funksional juridik dhe sundimi i ligjit janë tema për të cilat flitet gjithnjë e më shpesh, nevoja për ekspertizë cilësore, të pavarur dhe profesionale vazhdimisht rritet. Prandaj, puna nuk është vetëm detyrë profesionale, por edhe përgjegjësi e madhe shoqërore dhe juridike. Çdo fjalë e shkruar ka rëndësi, matet dhe ka ndikimin e saj”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se Qeveria po bën përpjekje për të ndërtuar një sistem funksional të sundimit të ligjit, si themel i shtetit demokratik, duke shprehur mbështetjen për ekspertët dhe duke nënvizuar se pavarësia e pushtetit gjyqësor duhet të jetë garanci për vendimmarrje të paanshme dhe objektive.
Në fund, Nikolloski u uroi anëtarëve të Odës së Ekspertëve punë të suksesshme, përkushtim më të madh dhe avancim të profesionit.








