Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka ngritur aktakuzë kundër ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”.
Mes të akuzuarve është edhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Aktakuza është ngritur disa ditë para skadimit të masës së arrestit shtëpiak gjashtëmujor ndaj Grubit.
Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 2023-2024, të akuzuarit kanë vepruar së bashku duke tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar Lotarisë Shtetërore dëm financiar në vlerë prej rreth 507,6 milionë denarë, ose afërsisht 8,2 milionë euro.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm se Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike në terminalet e videolotarisë, pasi kjo e drejtë ishte investuar që nga viti 2013 si kontribut jo-monetar në kompaninë e përbashkët me Casinos Austria. Pavarësisht kësaj, sipas Prokurorisë, janë ndërmarrë procedura për organizimin e pavarur të këtyre lojërave dhe për blerjen e terminaleve.
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj ngritjes së aktakuzës, duke shprehur shqetësim serioz dhe duke e cilësuar atë si një proces politik për përgjegjësi individuale që, sipas partisë, buron nga një vendim kolektiv.
“Pas dy vitesh hetim, opinioni meriton të dijë mbi cilat prova dhe argumente konkrete mbështetet një akuzë e tillë. Ne respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por njëkohësisht kërkojmë drejtësi të barabartë dhe joselektive”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare ka kërkuar transparencë të plotë të procesit, në mënyrë që publiku, mediat dhe ekspertët të kenë qasje në pretendimet, provat dhe argumentet e paraqitura nga palët.
BDI gjithashtu ka kërkuar mbikëqyrje ndërkombëtare të hapur dhe transparente të rastit, duke theksuar se nuk kërkon privilegje për askënd, por zbatim të barabartë të ligjit dhe një proces të drejtë e të pandikuar nga politika.






