UASHINGTON, 2 maj (Reuters) –
Më shumë se dy muaj nga nisja e një konflikti që nuk ka sjellë një fitore vendimtare ushtarake apo diplomatike, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përballet me rrezikun që përballja me Iran të zgjasë pafundësisht dhe të krijojë një problem edhe më të madh për SHBA-në dhe botën.
Me të dyja palët që shfaqin besim se kanë avantazhin dhe me qëndrime shumë të largëta, nuk ka një rrugë të qartë daljeje, edhe pse Irani ka paraqitur një propozim të ri për rifillimin e negociatave. Trump e refuzoi menjëherë të premten.
Për presidentin amerikan dhe Partinë Republikane, pasojat e një bllokimi të zgjatur janë të zymta. Një konflikt i pazgjidhur pritet të sjellë pasoja ekonomike globale, përfshirë çmime të larta të karburantit në SHBA, duke rritur presionin mbi Trump, ndërsa mbështetja në sondazhe bie dhe dëmtohen shanset e republikanëve në zgjedhjet e nëntorit.
Këto kosto nxjerrin në pah një problem më të thellë: lufta nuk ka arritur shumë nga objektivat e shpallura të Trump. Edhe pse sulmet amerikane dhe izraelite kanë dëmtuar rëndë kapacitetet ushtarake të Iranit, synimet e shpesh të ndryshueshme – nga ndryshimi i regjimit deri te ndalimi i programit bërthamor – mbeten të parealizuara.
Frika për një ngërç të zgjatur është shtuar pasi Trump anuloi një vizitë të negociatorëve në Islamabad dhe më pas hodhi poshtë ofertën iraniane për ndalimin e luftës, e cila ishte pezulluar që nga 8 prilli nën një marrëveshje armëpushimi.
Teherani propozoi që diskutimi për programin bërthamor të shtyhej deri në përfundimin formal të konfliktit dhe arritjen e një marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Kjo ishte e papranueshme për Trump, i cili kërkon që çështja bërthamore të trajtohet që në fillim.
Një shenjë e vogël shprese u shfaq të premten, kur agjencia shtetërore IRNA raportoi se Teherani kishte dërguar një propozim të rishikuar përmes ndërmjetësve pakistanezë, duke sjellë ulje të çmimeve globale të naftës. Trump deklaroi se nuk ishte “i kënaqur” me ofertën, megjithëse tha se kontaktet telefonike vazhdojnë.
Dështimi për të marrë kontrollin e kësaj rruge jetike të transportit të naftës në fund të konfliktit do të ishte një goditje e madhe për trashëgiminë e Trump. Sipas ekspertes së Lindjes së Mesme në Johns Hopkins, Laura Blumenfeld, ai mund të mbahet mend si presidenti që e bëri botën më pak të sigurt.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se presioni ushtarak dhe ekonomik po rrit “dëshpërimin” e Iranit dhe se Trump “i ka të gjitha kartat në dorë dhe kohën e nevojshme për të arritur marrëveshjen më të mirë”.





