Peshkimi në Liqenin e Mavrovës do të ndalohet përkohësisht, ndërsa do të kufizohet edhe përdorimi i mjeteve lundruese për shkak të mbajtjes së Kampionatit Botëror në peshkim.
Nga Parku Nacional “Mavrovë” njoftojnë se ndalimi i peshkimit sportiv, rekreativ dhe i çdo lloj tjetër peshkimi hyn në fuqi më 26 gusht dhe do të zgjasë deri më 7 shtator 2026, kur pritet të përfundojë kampionati.
Masa është marrë për të mbrojtur peshqit e hedhur posaçërisht për zhvillimin e garës, e cila është ngjarje zyrtare e rangut më të lartë në kuadër të FIPSed.
Gjatë së njëjtës periudhë do të ndalohet ose kufizohet edhe lundrimi dhe përdorimi i mjeteve lundruese në liqen.
Nga këto kufizime përjashtohen mjetet lundruese të policisë, shërbimeve të shpëtimit dhe institucioneve të tjera kompetente, kur përdorimi i tyre është i nevojshëm për sigurinë dhe organizimin e kampionatit.
Parku Nacional “Mavrovë” u bën thirrje peshkatarëve sportivë dhe të gjithë përdoruesve të liqenit që t’i respektojnë masat gjatë periudhës së përcaktuar.






