Në periudhën nga 18 maj deri më 31 korrik 2026, në të gjithë territorin e vendit, Sektori për Çështje të Trafikut pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka zhvilluar kontrolle të intensifikuara ndaj drejtuesve të mjeteve të lehta elektrike, përkatësisht skuterëve elektrikë.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar gjithsej 965 shkelje të kryera nga drejtuesit e skuterëve elektrikë.
Numri më i madh i shkeljeve, gjithsej 519, ka të bëjë me lëvizjen në mënyrë të parregullt, përkatësisht drejtimin e skuterëve në sipërfaqe të destinuara për këmbësorë, në vend se në shtigje ose korsi për biçikleta, në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Më së shumti shkelje janë konstatuar në zonën e SPB Manastir – 443, pasuar nga SPB Strumicë me 112, SPB Shkup me 90, SPB Tetovë me 86, SPB Veles me 73, SPB Ohër me 59, SPB Kumanovë me 45 dhe SPB Shtip me 18 shkelje.
Njësia Mobile për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor ka konstatuar edhe 39 shkelje shtesë.
Për shkeljet e konstatuara janë ndërmarrë masat dhe janë shqiptuar sanksionet përkatëse në përputhje me ligjin.
MPB-ja njofton se do të vazhdojë me kontrollet e intensifikuara në trafik, me qëllim rritjen e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Ministria u bën thirrje drejtuesve të skuterëve elektrikë që t’i respektojnë rregullat e trafikut, të lëvizin vetëm në sipërfaqet e përcaktuara dhe të mos rrezikojnë sigurinë e këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.






