Shkup, 25 qershor – Pesë komisione parlamentare do të mbajnë sot mbledhje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku deputetët do të shqyrtojnë disa propozim-ligje dhe ndryshime ligjore nga fusha të ndryshme.
Mbledhje do të zhvillojnë Komisioni për Çështje Ekonomike, Punës dhe Politikës së Energjisë, Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave, Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport, si dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës.
Në rendin e ditës janë paraparë shqyrtimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të disa ligjeve që kanë të bëjnë me sigurinë në komunikacion, sistemin arsimor, angazhimet në punë dhe fusha të tjera që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e politikave publike.
Deputetët pritet të debatojnë për propozimet ligjore në kuadër të procedurës parlamentare, ndërsa pas shqyrtimit në komisionet përkatëse, ato do të procedohen për miratim në seancë plenare, në përputhje me procedurat e Kuvendit.
Mbledhjet e komisioneve janë pjesë e agjendës së rregullt parlamentare dhe synojnë shqyrtimin e detajuar të propozim-ligjeve përpara fazës përfundimtare të miratimit. përcjell Zhurnal.mk .





