Ministria e Drejtësisë njoftoi se në ENER është publikuar Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lobim.
Me Propozim-ligjin, siç thuhet, propozohen zgjidhje për forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në proceset e krijimit dhe zbatimit të politikave publike.
“Me ndryshimet e propozuara zgjerohet fushëveprimi i lobimit në proceset e miratimit, ndryshimit, zbatimit dhe vlerësimit të politikave publike, precizohen rregullat për përfaqësimin e interesit publik, forcohen mekanizmat për parandalimin e lobimit të fshehtë dhe të palejuar, duke përfshirë edhe lobimin përmes kanaleve digjitale dhe rrjeteve sociale, vendosen detyrime për organet ndaj të cilave zhvillohet lobimi lidhur me përgjigjet dhe realizimin e kontakteve, avancohet transparenca përmes publikimit të informacioneve për pjesëmarrësit, interesat e përfaqësuara, iniciativat dhe takimet zyrtare”, theksojnë nga Ministria.
Me zgjidhjen e propozuar forcohen mbikëqyrja dhe kontrolli nga ana e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe parashikohen sanksione të reja dhe më të larta për kundërvajtje për mosrespektimin e detyrimeve ligjore.
“Qëllimi është krijimi i një sistemi më të qartë dhe më efikas, në të cilin lobimi është instrument legjitim dhe transparent për pjesëmarrje në krijimin e politikave publike, ndërsa njëkohësisht parandalohet ndikimi i fshehtë dhe i palejuar mbi vendimmarrjen publike”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.






