Familjet e viktimave u mblodhën për marshim paqeje në Koçan, në gjashtë mujorin e tragjedisë ku humbën jetën 62 vetë dhe u lënduan 200.
Pas Koçanit u njoftua për protestë paqësore edhe në sheshin e Shkupit. I cili organizohet nga Nisma “Kush e ka radhën”.
“Sonte, këtu në shesh do të mbahet një protestë paqësore në nderim të viktimave të tragjedisë së Koçanit. Të pranishmit do të krijojnë një qiell me yje si shenjë kujtimi dhe respekti”.
Zjarri i tmerrshëm në të ashtuquajturin klub nate Pulse në Koçani shpërtheu në mbrëmjen e 16 marsit gjatë performancës së grupit ADN, duke vrarë 62 vetë dhe duke plagosur mbi 200 të tjerë. Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e fundit të vendit. Tre muaj pas zjarrit, prokuroria ngriti padi kundër 34 individëve dhe tre personave juridikë të akuzuar për krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, ndërsa ndaj dy personave për marrje ryshfeti. Megjithatë, Penalja ende nuk e ka miratuar aktakuzën për fillimin e gjykimit. Të pandehurit përfshijnë pronarin e Pulsit Dejan Jovanov, vëllain e tij, tre ish-kryetarët e Koçanit, katër ish-drejtorë të DSSh, si dhe dy ish-ministra të ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini.