Sot ka ndërruar jetë Dr. Aliriza Osmani, mjek në repartin e sëmundjeve infektive në Kumanovë. Ai ishte një figurë e respektuar në fushën e mjekësisë dhe në jetën shoqërore, me një bagazh të pasur patriotik, njofton INA.
Dr. Osmani u bë pjesë e historisë më të re kombëtare si mjek në luftën e UÇK-së në Maqedoni gjatë vitit 2001, ku shërbeu me përkushtim. Gjatë pandemisë së Covid-19, ai ishte ndër mjekët më aktivë në përballjen me virusin, duke shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish me profesionalizmin dhe sakrificën e tij.
Përveç profesionit të tij, Dr. Osmani mbajti edhe funksionin e Konsullit të Nderit të Rumanisë në Maqedoni, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Dr. Aliriza Osmanit ka shkaktuar dhimbje të madhe te familja, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën nga afër si mjek, patriot dhe njeri human.(INA)