Nafta afër 90 dollarë për fuçi! Koçoska: Nuk ka vend për panik, kemi rezerva nafte

Konflikti në Lindjen e Mesme e ka rritur çmimin e naftës në bursat botërore, i cili po i afrohet 90 dollarëve për fuçi. Por, qeveria jonë thotë se tek ne gjendja është e qëndrueshme. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, siguron se nuk ka vend për panik dhe për krijim të krizës artificiale. Dje, në takimin me kompanitë e naftës, ata morën siguri se ka mjaftueshëm rezerva nafte.

“Më vjen keq që në çdo situatë të tillë, individë gjithmonë përpiqen të përfitojnë dhe ky është qëllimi që ndoshta një pjesë e madhe e njerëzve i udhëheq, dhe krijojnë edhe kriza artificiale, duke thënë se nuk ka mjaftueshëm naftë dhe kështu me radhë. Takimi dje ishte në nivel të shkëlqyer, asnjë kompani nuk tha se kishte ndonjë problem me rezervat e naftës, përkatësisht rezervat ekonomike të naftës. Pra, absolutisht nuk ka asnjë problem dhe nuk ka nevojë që qytetarët të ndjejnë ndonjë panik, sepse nuk do të mungojë nafta. Nuk është kështu”, deklaroi ministrja e Financave Gordana Dimitrievska Koçoska.

Janë forcuar kontrollet inspektuese, dhe dje inspektorët e tregut vizituan mbi 100 pikat karburanti. Kishte problem vetëm në disa prej tyre, sepse nga depot kryesore nuk ishte dërguar nafta ose benzina te pikat. Por, Koçoska thotë se kjo është brenda organizimit të vetë kompanive dhe mund të ndodhë çdoherë. Ajo thotë se gjendja monitorohet çdo ditë dhe, nëse vlerësohet se ka nevojë, Qeveria do të shpallë gjendje krize dhe Ministria e Financave do të aktivizojë instrumentet sipas ligjit.

“Në ligjin për akcizë janë vendosur stabilizatorë automatikë. Kjo do të thotë se, nëse shpallet gjendje krize në territorin e shtetit, automatikisht ministri i Financave pas kësaj merr vendim për ndryshimin e çmimit të akcizës, përsëri aty janë vendosur pragje të sakta se nga sa deri sa nëse çmimi i naftës për ton, kështu është përcaktuar në ligjin tonë, jo për fuçi, do të ketë përkatësisht, sepse çmimi rritet, do të ketë ulje përkatëse. Ulja është 1, 2 dhe 4 denarë, në varësi të pragut ku hyjmë”, u shpreh Gordana Dimitrievska Koçoska – ministre e Financave.

Çmimi i ri i karburanteve pritet të shpallet nga Komisioni Rregullator për Energjitikë të hënën. Për të siguruar siguri në furnizim, Komisioni ndryshoi Rregulloren. Tani vendimi për çmimet e reja të karburanteve do të merret një herë në javë, vetëm të hënën. Dhe jo si më parë, që çmimet mund të ndryshojnë çdo ditë, në varësi të lëvizjes së naftës dhe dollarit në bursat botërore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit