Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ka zhvilluar disa takime me homologë të tij nga vende të ndryshme.
Në një intervistë për MIA-n, Mucunski bëri të ditur se është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Kenias dhe homologen e tij nga Mongolia, ndërsa me Trinidad dhe Tobago ka nënshkruar marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Mucunski tha se, krahas këtyre takimeve, në New York ka pasur edhe kontakte të shkurtra me ministren e Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, por pa zhvilluar bisedime të thelluara.
Duke folur për marrëdhëniet me Bullgarinë, Mucunski theksoi nevojën për përfshirjen e Bashkimit Evropian në procesin e dialogut, duke argumentuar se prania e një pale të tretë do të mund të ndihmonte në ndërtimin e besimit mes dy vendeve.
Ai tha se fokusi kryesor i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbetet rajoni dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.






