Shkup, 28 shkurt – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka publikuar informacione të reja lidhur me situatën e shtetasve në Lindjen e Mesme, në kushtet e sfidave aktuale të sigurisë në rajon.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani gjithsej nëntë persona kanë kërkuar asistencë për evakuim nga Izraeli. Nga Ministria bëhet e ditur se hapësira ajrore mbetet e mbyllur të paktën deri të hënën, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mundësitë për organizimin e evakuimit.
Pas rihapjes së saj, do të shqyrtohen opsione dhe modele të ndryshme për tërheqjen e mundshme të shtetasve, në përputhje me rrethanat aktuale dhe vlerësimin e sigurisë.
Ndërkohë, ndryshe nga Izraeli, në përfaqësitë diplomatiko-konsullore në Doha dhe Abu Dabi deri në këtë moment nuk është paraqitur asnjë kërkesë për evakuim. Ambasadat e Maqedonisë së Veriut në rajon mbeten në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe janë plotësisht në dispozicion për mbështetje, informacione dhe koordinim.



