Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Manastir raportoi sot se në dy ditët e fundit, dy banorë të Manastirit kanë qenë viktima të mashtruesve që u paraqitën si mjekë dhe i zhvatën gjithsej 19.600 euro, transmeton Portalb.mk.
Rasti i parë u regjistrua dje, kur një banore 84-vjeçare e Manastirit raportoi se i ishte mashtruar me 9.600 euro. Mashtruesi e kontaktoi atë me telefon, u prezantua si mjek dhe e bindi se vajza e saj kishte fraktura të rënda dhe se një operacion urgjent dhe i shtrenjtë ishte i nevojshëm. Gruaja ia dorëzoi paratë një personi të panjohur që erdhi direkt në ndërtesën e saj. Ajo e kuptoi se ishte mashtruar pasi dëgjoi më vonë nga vajza e saj.
Një ditë më parë, në një mashtrim të ngjashëm, një banor 83-vjeçar i Manastirit mbeti pa 10.000 euro. Edhe në këtë incident, mjeku i rremë pretendoi se mbesa e tij kishte rënë nga shkallët, kishte pësuar lëndime të rënda dhe se paratë ishin të nevojshme për trajtim urgjent mjekësor.
“Paratë merren sipas të njëjtit skenar. Personat e mashtruar ia dorëzojnë paratë një personi që vjen në shtëpitë e tyre, dhe vetëm atëherë ata zbulojnë se janë mashtruar”, informon SPB Manastir.
Policia njofton se po merren masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të këtyre rasteve me mjekë të rremë.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut janë raportuar disa herë raste të ngjashme . Personat prezantohen si zyrtarë (p.sh., policë ose mjekë) dhe kërcënojnë që fëmijët e tyre janë akuzuar për aksidente serioze ose se kanë lëndime të rënda dhe duhet operuar urgjentisht. Në Kumanovë një grua pagoi deri në 30 000 euro para se të kuptonte se ishte mashtruar, ndërsa një tjetër e moshuar në Tetovë pagoi mbi 26.000 euro.
Pra, modeli i mashtrimit është thuajse identik: përdoren frika nga dënimi i afërmve për shkak të aksidenteve dhe kërcënimi i humbjes së tyre, ndërsa shumat e kërkuara janë të mëdha, dhe viktimat, zakonisht të moshuara, bien pre e mashtrimeve të tilla.



