Ministrja Sala jep dorëheqjen: Shkak, angazhimet ndërkombëtare në onkologji e inovacion

Advertisement

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Shqipëri, Evis Sala, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra, duke bërë të ditur se vendimi lidhet me angazhime të reja ndërkombëtare në fushat e saj të ekspertizës, përfshirë onkologjinë, inteligjencën artificiale dhe inovacionin.

“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës”, deklaroi Sala.

Ajo tha se gjatë një viti në krye të ministrisë janë ndërmarrë disa reforma dhe masa në sistemin shëndetësor, duke veçuar reformën në onkologji, rritjen e financimit për barnat antitumorale dhe zgjerimin e përdorimit të terapive moderne.

Sipas saj, gjatë vitit 2026 janë shtuar 26 milionë euro për barnat antitumorale, janë përfshirë 21 barna inovative dhe është zgjeruar me 23 për qind lista e barnave antitumorale për përdorim spitalor.

Sala përmendi gjithashtu investimet në radioterapi, digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, programet e depistimit, vaksinimin kundër HPV-së dhe rritjen e pagave për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë.

Në deklaratën e saj, ajo falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe punonjësit e sistemit shëndetësor dhe qytetarët për kontributin dhe sugjerimet e tyre.

“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një detyrë apo me një institucion. Ai ka qenë dhe do të mbetet pjesë e punës sime si mjeke, akademike dhe profesioniste shqiptare në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Sala.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit